Kisha e Shën Sotirit

Shën Sotira është e hapur çdo ditë nga ora 07.00 deri në 07.30 dhe 19.00 deri në 19.30. Shërbesat e së dielës bëhen nga ora 07.00 deri në 10.00. Vizitorët janë të mirëpritur. Nëse nuk arrini ta vizitoni kishën gjatë orëve të kohës normale, jeni të lutur t’i drejtoheni Qendrës së Informimit Turistik, e cila mund të rregullojë me priftin një orar tjetër për ju.

Bazilika e kësaj kishe që ndodhet në lagjen Pazar i Vjetër është ndërtuar më 1784. Projektuar në stilin tipik ortodoks, ajo ka formë katrore dhe vendosje në drejtimin lindje-perëndim. Kisha quhet edhe “Mitropolia e Vjetër”, ngaqë ishte dikur selia e peshkopëve vendorë. Kishat tipike ortodokse përfaqësojnë gjithësinë. Tavani me kube përfaqëson Qiellin dhe është zbukuruar me piktura të mëdha të Krishtit, që sheh poshtë grigjën e  besimtarëve. Dyshemeja e kishës paraqet këtë botë.

Altari kryesor ngrihet nga toka nëpërmjet një shkallareje që qëndron pezull mes Qiellit dhe Tokës. Pranë hyrjes një ikonë që qëndron mbi një mbështetëse të gdhendur, simbolizon shndërrimin hyjnor të Krishtit. Brendësia e kishës është dëmtuar rëndë gjatë komunizmit. Muret dikur ishin krejtësisht të pikturuara me ikona, që u shkatërruan që të gjitha. Ikona në korniza mbulojnë tani muret, shumë nga të cilat të pikturuara kohët e fundit nga piktorë vendas, të specializuar për restaurim dhe art fetar.

Froni i zbukuruar me gdhendje në pjesën kryesore të kishës (nava) ishte caktuar dikur për peshkopët. Nga tavani varen shandanë metalikë të zbukuruar dhe mbajtëse temjani. Kthina e tretë e kishës është faltorja, që ndahet nga pjesa tjetër përmes ikonostasit të zbukuruar me gdhendje. Ikonostasi kufizon hyrjen në faltore, ku nuk duhet të futen për njerëz që nuk janë shërbyes të konsakruar nga Kisha Ortodokse. Ai përbëhet  nga dy pjesë dhe është origjinal, i punuar që me ndërtimin e kishës. Origjinale të shekullit XVIII-XIX janë edhe të gjitha ikonat e vogla në pjesën e sipërme të tij. Shumë nga ikonat e tjera janë plotësuese, për shkak se origjinalet humbën gjatë viteve të komunizmit.  

Xhamia

Xhamia që ndodhet pranë Qafës së Pazarit është e hapur çdo ditë. Hyrja është e lirë dhe vizitorët janë të mirëpritur. Koha më e mirë për të vizituar xhaminë është 10-15 minuta pas 5 faljeve të përditshme, në kohën kur është e sigurt që hoxha ndodhet aty.  

Mendohet që kjo xhami mbijetoi për shkak të statusit të saj si monument kulture. Ajo i shpëtoi furisë së regjimit komunist më 1967, kur, 12 prej 13 xhamive që kishte Gjirokastra në atë kohë, u shkatërruan. Mbas kësaj, ajo u përdor për të mësuar akrobatët e cirkut, gjë që e mundësonte kubeja e lartë. Kjo xhami ishte pjesë e planit fillestar të Memi Pashës për Pazarin, që u ndërtua në shekullin e 17-të. Ajo u shkatërrua nga zjarri i shekullit pasardhës që dogji pjesën më të madhe të Pazarit; viti 1757 është koha e rindërtimit të saj bashkë me Pazarin.    

Në rrugë, në anën perëndimore është një ndërtim i vogël tetëkëndësh, që shërben për ritualin e larjes së duarve dhe këmbëve përpara hyrjes në xhami. Sipas traditës gratë falen veçmas nga burrat dhe kanë hyrje më vete. Poshtë hyrjes ka një portik, i cili kishte shitore. Paratë e mbledhura nga qiraja e tyre përdorej për të mirëmbajtur xhaminë.  Rruga kalonte dikur përmes hapësirës së shitoreve për të tërhequr kalimtarët.    

Hapësira e brendshme kryesore është vendi i lutjes së besimtarëve. Vendi në murin përballë është për imamin, i cili qëndron në drejtim të Mekës, drejt së cilës besimtarëve myslimane drejtohen gjatë faljes.

Shkallarja e vogël në të djathtë të vendit të imamit, është vendi ku ai qëndron për të dhënë mesazhin e javës gjatë faljes së mesditës së të premtes. Në qoshen në të djathtë të hyrjes kryesore është hyrja që të çon në minare, e cila me 99 shkallët e saj përfaqëson 99 cilësimet që i jepen Zotit në Kuran.

Pranë mund të shihni një ndërtesë të verdhë që duket si xhami me çatinë e sa me kube. Kjo ndërtesë tetëkëndëshe me dy kate, e ndërtuar më 1727, ishte dikur teqe bektashiane. Ajo u mbyll në periudhën komuniste. Sot është medrese-shkollë myslimane.   

Mbetjet e Xhamisë së Meçites, Hamami dhe shtatë krojet

Kompleksi Shtatë Krojet është ndërtuar në themelet e Xhamisë së Meçites,  e njohur fillimisht si xhamia e Haxhi Muratit. Mbetjet e minares janë farë pranë në të djathtë të krojeve. Mbi themelet origjinale të xhamisë së shkatërruar nga regjimi komunist tani është ndërtuar një shtëpi. Pak metra më tej, duke kaluar përmes tri shkallëve, mund të shohësh krojet, disa nga të cilat kanë ende ujë që rrjedh nën mbishkrimet e bukura të përkushtimit. Në këto kroje bëhej dikur rituali i larjes (avdes) para faljes në xhami. Nga ana tjetër është Hamami, siç quheshin banjat tradicionale turke, tani për tani i mbyllur në pritje të restaurimit të mëtejshëm. Siç ishte e zakonshme në banjat turke të këtyre anëve, çatia është e mbuluar me “luspa” tradicionale prej pllakash guri të përhime. Hamami dhe i gjithë sheshi është restauruar vitet e fundit nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës.