Ura e këmbësorëve përgjatë lumit të Vjosës.

Nga Gjirokastra në Tepelenë

Për të shkuar në Tepelenë, 30 kilometra nga Gjirokastra, drejtohuni për në veri në rrugën e që ndjek rrjedhën e lumit Drino. Do mbrrini në Tepelenë për rreth 30 minuta. 3 km nga Gjirokastra do kaloni pranë liqenit të Viroit, një liqen artificial tërheqës. Parku rreth brigjeve është mjaft popullor në verë me disa restorante dhe një hotel. Vazhdoni rrugën drejt duke kaluar edhe kthesën djathtas për në Përmet dhe pas pak arrini në Tepelenë. 

Pamje nga Kalaja e Tepelenës.

Tepelena është një qytet historik i mirënjohur si vendlindja e Ali Pashës, Vezirit të Janinës (1741-1822).  Statuja e tij prej bronzi, vepër e skulptorit të njohur shqiptar  Mumtaz Dhrami, ndodhet në një pozicion të dukshëm në qytet. Kalaja e ndërtuar nga Ali Pasha për të rrethuar sarajet e tij është monumenti më i rëndësishëm në  Tepelenë. Me sipërfaqe 4.5 hektarë, ajo u ndërtua në vitin 1819.
Nëse hedh vështrimin mbi Vjosë nga Kalaja do shohësh një urë këmbësore  mbi lumë, e cila mbështetet mbi shtylla mjaft të  vjetra prej guri. Ura origjinale u ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për qytetin. Ura mund të kalohet duke ju çuar në fshatin Beçisht, vendlindja e Ali Pashës. Mbeturinat e shtëpisë së tij mund të shihen dhe sot dhe çdo banor mund t’jua tregojë ato. 

Ali Pasha

Statuja e Ali Pashës në sheshin kryesor të Tepelenës.

Ali Pasha u lind më 1741. I ati ishte një bej i vogël lokal, i cili u mashtrua nga disa ortakë të tij dhe vdiq shumë herët. Imazhi i babait të tradhëtuar dhe i nënës që u mor me edukimin e tij nuk do t’i ndahej pashait të famshëm për tërë jetën. Në fillim Aliu ishte një kaçak, që plaçkiste karvanët që shkonin për Janinë përgjatë grykave të Tepelenës.  Osmanët me dinakëri e vunë Aliun në shërbim të tyre për të siguruar tregtinë në këto anë. Mbështetja nga Kurt Pasha i fuqishëm i siguroi atij emërimin në pashallëkun e Trikallës në Greqi. Më 1878 Aliu arriti të shtjerë në dorë kontrollin e Pashallëkut të Janinës. Ai e zgjeroi sundimin e tij hap pas hapi mbi territore që shtriheshin nga lumi Shkumbin në veri dhe deri në Peloponez në jug, të cilat ai kontrollonte përmes bijve dhe nipave të tij.

Dobësia e Sulltanit dhe luftërat e Napolonit i mundësuan Aliut të bëhej një udhëheqës thuajse i pavarur, që mbante lidhje diplomatike më vete me fuqitë më të mëdha të kohës, Anglinë, Francën, Rusinë, duke nxitur kështu zilinë dhe zemërimin e Sulltanit. Më 1822 Sulltani dërgoi një ushtri të madhe, e cila e rrethoi Aliun në kryeqytetin e tij Janinë. I mashtruar nga një premtim faljeje, Aliu shkoi të takojë të dërguarit e  Sulltanit në një manastir në ishullin e liqenit të Janinës, ku u sulmua nga ushtarët, u kap dhe iu pre koka. Trupi u varros në Janinë, jashtë xhamisë së kalasë, ndërsa koka iu morr nga kasnecët dhe u dërgua në Stamboll, si simbol i vdekjes së tij. Më pas u lejua që koka të varrosej me nderim në një varrezë të Stambollit, ku ndodhet edhe sot. Kështu Aliu u bë njeri me dy varre njëherësh, një në Stamboll e një në Janinë.

I konsideruar gjithnjë si tiran dhe despot, Ali Pashë Tepelena ishte një sundimtar i vendosur dhe largpamës, që mbështeti zhvillimin e tregtisë dhe zejtarisë dhe zhduku grabitjet e karvanëve në rrugë. Ai ishte një figurë e famshme në shkallë ndërkombëtare, me kontakte diplomatike kudo në Europë. Shumë është shkruar për të në të shkuarën; ai përmendet edhe në veprën e famshme Konti i Montekristos  të shkrimtarit Aleksandër Duma.  
Kur të ktheheni mbrapsht për Gjirokastër, ia vlen të ndalni në fshatin Kardhiq. Fshati ndodhet pak kilometra nga rruga kryesore. Kur Aliu ishte i ri, motra dhe nëna e tij u rrëmbyen peng nga bejlerët e Kardhiqit. 30 vjet më vonë Aliu, tashmë një sundues fuqiplotë i zonës, mori hak duke vrarë të gjithë meshkujt e fshatit.