Cila është koha më e mirë për të ardhur në Gjirokastër?

Koha më e mirë është pranvera (prill-maj) kur drurët gjelbërojnë dhe mbushen me lule ose në verën e hershme (qershor) kur nuk është ende shumë vapë. Më vonë, në verë, temperaturat u afrohen nganjëherë edhe 40°C, pavarësisht se gjelbërimi dhe lartësia ku ndodhet qyteti historik e zbusin disi vapën. Puhia malore sidoqoftë freskon në mbrëmje dhe krijon mundësinë e një darke të këndshme në qiell të hapur. Gjatë vjeshtës ka shume ditë të bukura, ndërsa në dimër temperaturat e ulëta janë karakteristike. Shira të shumta ka sidomos në shkurt dhe prill. Reshjet gjatë vitit lëvizin nga 75 deri në 750 mm në muaj, ku pjesa më e madhe bien në dimër.

 Çfarë veshjesh duhen marrë me vete?

Për në pranverë dhe verë këshillohen veshje të lehta të pambukta që mbrojnë lëkurën nga dielli dhe vapa e ditës. Këshillohen kapelat dhe syzet e diellit. Duhen mbathur këpucë ose sandale të forta për ecje. Ecja në kalldrëmet e lëmuara ose të lagura mund të bëhet sfiduese sidomos pas shiut. Një pulovër mund të jetë e nevojshme për mbrëmjet e freskëta. Edhe çadra mund të hyjë në punë, nëse jo për shi, për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit.  

A është e nevojshme viza?

Qytetarët nga shumica e vendeve perëndimore nuk kanë nevojë për vizë. Kjo vlen për ata që jetojnë në Australi, Bashkimin Europian, Kanada, Korenë e Jugut, Kroaci, Japoni, Norvegji, San Marino, Shtetet e Bashkuara, Turqi, Zvicër dhe Zelandën e Re. Vizitorët duhet të paguajnë një taksë hyrjeje prej 10 € kur vijnë në Shqipëri, nga e cila janë përjashtuar qytetarët nga Çekia dhe Polonia. Verifiko faqen e internetit të ministrisë së jashtme të Shqipërisë për informacione më të përditësuara në anglisht dhe shqip: www.mfa.gov.al.

A mund të përdoret kartë krediti dhe bankomati?

Gjirokastra ka plot bankomate në bulevardin kryesor në qytetin e ri. Ka dy të tillë edhe në qytetin historik: një tek Raiffeissen Bank në Pazar, që është i lidhur me rrjetin Maestro dhe tjetri në rrugën Varosh, pranë zyrës postare. Të gjithë ata veprojnë vetëm me lek shqiptar. Në përgjithësi biznesi në Gjirokastër nuk pranon karta biznesi.

Ç’ujë të përdorim për t’u pirë?

 Problemet kryesore qe të huajt hasin në Shqipëri kanë lidhje me ujin. Këshillohet të pihet vetëm ujë i paketuar në shishe.

Çfarë tensioni ka rrjeti i energjisë elektrike?

220 volt, 60 herc, me priza standarde europiane. Shqipëria herë pas here ka probleme me furnizimin me energji elektrike, kur tensioni mund të jetë shumë më i ulët se 220 volt. Ndërprerjet janë të zakonshme, sidomos gjatë dimrit kur kërkesat për ngrohje shtojnë konsumin. Është mirë pra të keni një ndriçues dore.

A ka nevojë të marrim me vete një konvertues/ adaptor?

Përgjigje: Mund t’ju nevojiten nëse vini nga një vend që nuk përdor standardin europian më spina dyshe. Nëse do përdorni pajisje delikate mund të merrni edhe një pajisje mbrojtëse nga lëkundjet e tensionit.

Çfarë tip hotelesh ka atje?

Ka një varg lloje hotelesh që u përgjigjen shumicës së kërkesave. Shih listën e hoteleve.

Kur është koha më e mirë për udhëtime më këmbë?

Prilli, maji, shtatori dhe tetori rekomandohen si muajt më të mirë ata që parapëlqejnë shëtitjet dhe ngjitjet malore. Muajt e verës nga qershori në gusht mund të jenë tepër të nxehtë. 

A kam mundësi të komunikoj me e mail?

Ka internet kafe në qytetin e ri, por edhe në pjesën historike. Pagesa është rreth 120-150 lekë në orë. Disa hotele kanë lidhje në internet. (shih informacionin për hotelet)

Mund të përdor celularin tim?

Thirrjet telefonike janë mjaft të shtrenjta në Shqipëri. Shumë njerëz përdorin celularë të Vodafonit (kodi zonal 069) ose AMC (kodi zonal 068). Nëse do qëndroni për pak kohë, është mirë të konsideroni blerjen e një karte telefonike shqiptare.

Në ç’zonë orare është Shqipëria?

Shqipëria është një orë përpara GMT nga tetori në mars dhe dy orë përpara nga prilli në shtator.

Si pihet duhani?

Ligji për duhanin kërkon që në mjediset e mbyllura ai të ndalohet, gjë që është e vështirë të respektohet gjatë dimrit.

Cilat janë zakonisht bakshishet në restorante?

Bakshishi është i zakonshëm në restorante dhe një shumë rreth 10% për shërbim të mirë është e arsyeshme. Nëse nuk jeni të sigurt pyetni për këtë.

Cilat janë orët kur zakonisht shitoret janë të hapura?

Zakonisht shqiptarët zgjohen herët dhe punojnë, me një ose dy pushime për kafe,  deri në orët e para të pasdites, kur shkojnë në shtëpi dhe shpesh marrin një sy gjumë. Gjatë këtij pushimi shumica e shitoreve të vogla janë të mbyllura, megjithëse kafenetë dhe restorantet janë shpesh të hapura. Gjithçka nis përsëri rreth orës 17.00 – 18.00 dhe lokalet mbeten hapur deri në ora 20.00 deri 22.00, koha kur shqiptarët zakonisht hanë darkën.

A mund të marr një makinë me qira?

Nuk ka ndonjë pikë ku të merrni makina me qira në Shqipërinë e jugut. Kështu që duhet të merrni taksi. Këshillohet të diskutoni mbi çmimin, por përgatituni të paguani rreth 2000 lekë për orë. Ka disa kompani që ofrojnë makina me qira në Tiranë dhe për këtë shërbim mund të informoheni përmes internetit.

Çfarë vaksinimesh është e nevojshme të bëj?

Nuk është ide keqe të jemi të vaksinuar nga tetanosi, poliomieliti dhe difteria. Për informim të mëtejshëm duhen konsultuar mjekët apo klinikat tuaja 4-8 javë para se të niseni.

Çfarë gjuhësh fliten?

Veç shqipes fliten gjerësisht greqishtja dhe italishtja, po ashtu edhe anglishtja e frëngjishtja nga brezi i ri. 

A ka kafshë helmuese?

Në zonën e Gjirokastrës jetojnë katër tipa gjarpërinjsh helmues dhe një tip merimange helmuese: merimanga e quajtur vejusha mesdhetare (pak raste fatale kryesisht fëmijë), gjarpri montpellier (jo fatal), nepërka e zakonshme ( ka pasur raste fatale, por jo të zakonshme), gjarpri i livadhit (nuk ka raste fatale) dhe nepërka me brirë (ka pasur raste fatale). Këto nuk ka gjasa të ndeshen në qytet, por nëse ndodh, kërkoni ndihmë mjekësore.