Ruajtja e vlerave historike të Gjirokastrës nuk pret – një thirrje nga Sadi Petrela, drejtor i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës.
 

Gjirokastra është shëmbull i shquar i një qyteti të periudhës osmane. Jeta në rrugët e saj gjarëpruese të sjell edhe sot në mendje diçka nga stili dhe kultura e shoqërisë otomane, koha kur qyteti lulëzoi. I “ngulur” mbi një sfond manitës malesh dhe rrethuar nga një natyrë e padëmtuar, qyteti me rrethinat e tij përbën pa dyshim një pjesë të paçmueshme të trashëgimisë së rajonit.

Në vitin 2005 UNESCO, duke vlerësuar rëndësinë e arkitekturës dhe të kulturës së Gjirokastrës e përfshiu qytetin në listën e Qyteteve të Trashëgimisë Botërore. Qyteti ka mbi 200 shtëpi gjirokastrite të tipit kullë-otomane e fortifikuar, të cilat mishërojnë shkrirjen aspak të lehtë të kulturës osmane me atë shqiptare. Për fat të keq, shumë prej këtyre ngrehinave të jashtëzakonshme janë në një proces rrënimi të rrezikshëm për mbijetesë, që e bën më se të ngutshëm resturimin e tyre. Gjirokastra duket sot sikur është varur mbi humnerën e shëmbjes dhe, nëse do lejohet të rrënohet më tej, një pjesë shumë domethënëse (jo aq nga përmasat, sa nga rëndësia) e historisë së gjatë dhe të pasur të rajonit do të kthehet në pluhur.   

Historia e 100 viteve të fundit veproi me dorë të rëndë mbi Gjirokastrën. Pushtimi dhe shtypja e huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u pasuan nga furia e komuniste, që në vitet 1960, shkatërroi shumicën e kishave dhe të xhamive. Demokracia e vuajtur e viteve 1990 solli shkatërrime dhe plaçkitje të tjera që shoqëruan trazirat e pas rënies së skemave piramidale financiare.

Vitet e fundit kur në vend u vendos stabiliteti, qyteti po e merr disi veten, por duke paguar një çmim tjetër të rëndë: zhvillimi në pjesën e poshtme të qytetit, po përthan jetën ekonomike dhe shoqërore të pjesës së vjetër historike në shpatet e kodrave. Ndërsa poshtë në luginë qyteti zhvillohet, shumë ndërtesa në zemrën historike janë braktisur e po braktisen dhe po shemben. Shumë pak investime bëhen në to. Duhet një ndërhyrje vërtet e ngutëshme me investime të konsiderueshme për rigjallërimin e qytetit historik; ndryshe ky shembull i manitshëm nuk do të mbijetojë.  

Projekte, si ai i Packard Humanities Institute për riparimin e shtëpisë së Zekateve, sjellin shembuj të shkëlqyer se si mund të mbrohen këto shtëpi të fortifikuar të një klasi, mund ta themi pa teprim, botëror. Por rigjallërimi i gjithë qytetit është një detyrë historike me përmasa madhështore dhe e mbushur plot me sfida.   

Para së gjithash duhen gjendur rrugë për të nxitur përtëritjen ekonomike të qytetit historik, sepse të restaurosh banesa të cilat vazhdojnë të mbeten të zbrazëta, nuk është veçse një tragjedi e kushtueshme. Po duhet përgatitur dhe mbështetur një brez i ri restauratorësh shqiptarë. Ndërsa ndërtesave historike u duhet gjetur një përdorim i shekullit XXI, e më pas ato duhen restauruar me dashuri e respekt për vlerat që kanë, duke krijuar një praktikë të qendrueshme.    

Pa dyshim që shpresat për Gjirokastrën nuk janë të humbura. Njohja e vlerave të saj nga UNESCO dhe afërsia me rrugët e mëdha panballkanike të komunikimit po sjellin një numër në rritje turistësh. Ne besojmë se turizmi i trashëgimisë kulturore është çelësi për rilindjen e qytetit dhe organizata jonë – GCDO po punon njëkohësiht në disa drejtime për ta realizuar këtë vizion. Krahas përpjekjeve për resturimin e ndërtesave dhe monumenteve, ne përpiqemi të rritim emrin e Gjirokastrës si destinacion turistik. Mbështetur mbi parimet e zhvillimit të qendrueshëm, GCDO përpiqet të nxisë biznesin vendor për veprimtari ekonomike të lidhur me turizmin si për krijimin e bujtinave, prodhimin e artizanatit dhe kualifikimin e guidave turistike. Në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe faktorë të tjerë vendorë bëhen përpjekje për përdorimin ekonomik të trashëgimisë kulturore të qytetit dhe të gjithë rajonit.

 

 

Puna vetëm sa ka filluar dhe një rrugë e gjatë është për të bërë. Shumë nga ju mund të japin një dorë për mbijetesën e Gjirokastrës. Kushdo prej jush është i lutur të ndihmojë si të mundet për ta shpëtuar këtë pjesë thelbësore të historisë së Shqipërisë dhe të trashëgimisë kulturore botërore.